Një qytetare nga Shkodra i është drejtuar portalit VeriuSot me një denoncim shqetësues, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet për një problem serioz sigurie te ura e re e Bunës.
Sipas saj, më datë 10 mars, motra e saj ka rënë në një prej pusetave të dëmtuara në anë të urës, duke pësuar dëmtime të rënda. Fatmirësisht, në vendngjarje kanë ndërhyrë persona të pranishëm dhe policia, duke shmangur pasoja edhe më të rënda.
Qytetarja bën me dije se si pasojë e rënies, motra e saj ka thyer shpatullën, ndërsa gjendja e saj shëndetësore mbetet e rënduar.

Ajo thekson se në atë zonë ndodhen tre puseta, ku njëra prej tyre është e dëmtuar dhe paraqet rrezik serioz për kalimtarët, pasi ndodhet pranë rrugës dhe mund të mos dallohet lehtësisht.
“Aty mund të bjerë kushdo, edhe një fëmijë. Janë gjysmë të hapura dhe me pak pakujdesi bie brenda”, shprehet ajo, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për riparimin e tyre.

Qytetarja, e identifikuar si Lirije Gjoci, thotë se ka kërkuar ndihmë edhe pranë institucioneve lokale, përfshirë kryebashkiakun Benet Beci, por sipas saj nuk ka marrë ende përgjigje.
Ajo apelon që strukturat përgjegjëse të ndërhyjnë sa më shpejt për të shmangur ngjarje të tjera, që mund të kenë pasoja edhe më të rënda për qytetarët.

