Nje dite me pare ish prokurori i krimeve te renda Eugen Beci, tha se ne Malesi te Madhe kane ekzistuar grupet e para te prostitucionit ne vendin tone.

Sot, Rush Dragu, aktivisti i njohur i Malesise se Madhe, i ka kthyer nje pergjigje atij. Ai shkruan:

Drejtuar Eugen Becit: Kur shpifja vishet si analizë: përgjegjësia e fjalës publike dhe media që ushqehet me baltë

Nga Rush DRAGU

Ka një vijë të hollë mes denoncimit dhe shpifjes. Dhe kur kjo vijë kalohet me lehtësi nëpër studio televizive, dëmi nuk është më individual — bëhet publik, i përhapur dhe i vështirë për t’u korrigjuar.

Ish-prokurori Eugen Beci, i shndërruar tashmë në një figurë të përhershme panelesh, ka hedhur në qarkullim një pretendim të rëndë: se në vila të Malësisë së Madhe grumbulloheshin vajza për trafikim. Një fjali e thënë lehtë, pa emra, pa data, pa prova — por me pasoja të rënda për një komunitet të tërë.

Ky nuk është më diskutim. Kjo është papërgjegjshmëri publike.

Sepse kur përmend një krahinë të tërë në një kontekst të tillë, nuk flet më për një fenomen — por njollos identitetin e saj. Dhe kjo bëhet edhe më e rëndë kur vjen nga dikush që ka mbajtur detyrë në sistemin e drejtësisë, ku fjala duhet të jetë e matur, e verifikueshme dhe e mbështetur në fakte.

Në Malësinë e Madhe ka vila, por nuk ka histori të grumbullimit të vajzave malësore për trafikim. Kjo nuk është çështje krenarie lokale, por realitet social. Është një zonë ku, përtej ligjit, normat shoqërore dhe kodi i nderit kanë qenë dhe mbeten pengesë e fortë ndaj fenomeneve të tilla. Të thuash të kundërtën pa prova, nuk është analizë — është baltë.

Po, trafikimi ka ekzistuar si fenomen. Por ai nuk ka pasur fytyrën që po i vishet sot me lehtësi. Përzierja e qëllimshme e të vërtetave me përgjithësime të rreme është forma më e ulët e manipulimit publik.

Dhe këtu hyn në lojë aktori i dytë: media.

Sepse në vend që të ndalë, të pyesë, të kërkojë prova dhe të vendosë përgjegjësi mbi deklarata të tilla, media zgjedh rrugën më të lehtë — ta amplifikojë. Panel pas paneli, mikrofon pas mikrofoni, çdo fjali e fortë kthehet në spektakël, pa u filtruar, pa u sfiduar, pa u verifikuar.

Kjo nuk është gazetari. Kjo është tregti me zhurmën.

Dhe më keq akoma: është bashkëfajësi.

Sepse një deklaratë e papërgjegjshme, kur përforcohet nga media pa asnjë standard profesional, shndërrohet në “të vërtetë” për publikun. Dhe kështu krijohet një realitet i rremë, ku një krahinë e tërë vihet në bankën e akuzës pa asnjë provë.

Figura publike që flasin pa përgjegjësi janë problem. Por media që ua jep këtë hapësirë pa asnjë filtër është problem edhe më i madh.

Në këtë histori nuk kemi të bëjmë thjesht me një deklaratë të gabuar. Kemi të bëjmë me një mentalitet të tërë, ku të flasësh fort vlen më shumë sesa të flasësh saktë.

Dhe derisa kjo të ndryshojë, do të vazhdojmë të shohim se si reputacioni i zonave, nderi i familjeve dhe e vërteta vetë bëhen viktimë e një gare për vëmendje.

Sepse sot nuk mjafton më të kesh qenë dikur në drejtësi për të qenë i besueshëm.

Duhet, mbi të gjitha, të dish të mbash peshën e fjalës.

Share.
error: Content is protected !!