Qeveria shqiptare ka miratuar ditën e djeshme vendimin për heqjen e masave të përkohshme ndaj platformës online “TikTok”, duke i dhënë fund pezullimit të aksesit dhe duke lejuar hapjen e plotë të saj në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave dhe mban datën 3 shkurt 2026, ndërsa parashikon ndërprerjen e çdo kufizimi të vendosur më herët ndaj platformës, pas adresimit të problematikave që lidhen me sigurinë publike dhe sociale në mjedisin digjital.

Sipas dokumentit zyrtar, heqja e pezullimit është bërë në mbështetje të dispozitave kushtetuese dhe ligjore për komunikimet elektronike, mediat audiovizive, mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtave të fëmijëve.

Zbatimi i vendimit do të realizohet nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore përkatëse, duke garantuar që aksesimi i platformës të jetë në përputhje me legjislacionin shqiptar.

Me këtë vendim, shfuqizohet edhe vendimi i mëparshëm i Këshillit të Ministrave, i cili kishte parashikuar masa të përkohshme për kufizimin e TikTok, të miratuara për shmangien e ndikimeve negative të platformës.

Hapja e plotë e TikTok pritet të ndikojë drejtpërdrejt te përdoruesit, veçanërisht të rinjtë dhe krijuesit e përmbajtjes digjitale, duke rikthyer normalitetin e aksesit në një nga platformat më të përdorura të rrjeteve sociale në vend.

Share.
error: Content is protected !!