Pas tensioneve të regjistruara një ditë më parë gjatë protestës së banorëve kundër ndërtimit të një resorti në zonën e Rrjollit, Policia e Shkodrës ka nisur procedime penale ndaj tre personave.
Sipas njoftimit të policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për shtetasit F. S., 24 vjeç, banues në fshatin Baks-Rrjoll, dhe F. V., 57 vjeç, banues në Shëngjin, për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime apo manifestime të paligjshme”, “Pengimi dhe ndalimi i qarkullimit rrugor” dhe “Kanosja”.
Gjithashtu është proceduar edhe shtetasja A. M., 48 vjeçe, banuese në fshatin Baks-Rrjoll, për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime apo manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi dhe ndalimi i qarkullimit rrugor”.
Sipas policisë, këta shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se kanë kundërshtuar punonjësit e policisë duke i shtyrë dhe duke tentuar të futen me forcë në kantierin e ndërtimit. Po ashtu, ata dyshohet se kanë kanosur me fjalë punonjësit e kantierit dhe kanë penguar lëvizjen e mjeteve drejt zonës së punimeve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
