Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua seanca e radhës ndaj kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i akuzuar nga SPAK për korrupsion aktiv në zgjedhje. Ashtu si në seancën e kaluar, edhe këtë të premte Prokuroria e Posaçme vijoi me pyetjen e dëshmitarëve të thirrur në këtë proces.

Sipas njoftimeve nga gjykata, të paktën dy dëshmi u rrëzuan nga SPAK, pasi gjykata miratoi kundërshtimet e parashtruara. SPAK pretendoi se disa dëshmitarë kishin dhënë deklarime të ndryshme gjatë hetimeve nga ato që dhanë në gjykatë, sidomos lidhur me çështjen e votave në këmbim të punimeve për lidhjen e energjisë elektrike dhe mjeteve të përdorura.

Dëshmitarët e prezantuar në seancë

Dod Martini – banues në fshatin Stajkë:

“20 vite kemi qenë pa drita. Është bërë një investim, por unë kam qenë në Itali që në Qershor 2025 dhe jam kthyer tani. Kristian Shkreli e di që është kryetar bashkie. Jemi ankuar për dritat para dy vitesh te Kristiani, te bashkia me vëllain Kolën dhe disa persona të tjerë. Nuk kemi biseduar për vota apo mbështetje politike.”

SPAK ngriti disa pyetje ndaj tij, duke pretenduar se deklarimet e tij nuk përputheshin me ato të dhëna gjatë hetimeve, dhe gjykata miratoi kundërshtimin e thënieve të Martinit.

Frrok Marku – punonjës në OSHEE Vau Dejës:

“Në Stajkë është bërë një remont, kemi përdorur bazën materiale dhe punimet janë realizuar para zgjedhjeve. Gjithë kohës, ajo zonë ka qenë pa drita. Investimi është bërë me mjete shtetërore dhe nuk ka lidhje me Bashkinë. Asnjëherë nuk më ka marrë në telefon Kristian Shkreli për të mbështetur apo për të votuar.”

Antonio Bashaj – elektricist në Vau Dejës:

“Punimet u kryen me urdhër të eprorit dhe jo të Kristian Shkrelit. Baza materiale kanë ardhur nga Shkodra. Automjetet e punës nuk e di nga kanë ardhur. Di që ka përdorur edhe një fadromë për hapjen e gropës. Punimet janë bërë sipas urdhrit të eprorit dhe jo të Shkrelit.”

Izmir Mucaku – ndihmës elektricist në OSHEE Vau Dejës:

“Kam marrë urdhër nga shefi për të punuar në fshatin Stajkë. Kam dhënë materialet punëtorëve dhe kam punuar vetëm dy ditë. Janë vendosur shtylla betoni dhe tela të rinj me makinat e OSHEE-së.”

Prokuroria kundërshtoi disa nga dëshmitë, duke argumentuar se ato ishin të papajtueshme me deklarimet e dhëna më parë gjatë hetimeve.

Seanca e ardhshme

Në seancën e radhës do të dëshmojnë katër persona të tjerë, ndërsa gjyqi i radhës u caktua më datën 27 prill 2026, ora 13:00.


Share.
error: Content is protected !!