Policia identifikon dhe vë në pranga autorin e vjedhjes me dhunë në lagjen “Vojo Kushi”
Shkodër – Policia e Shkodrës ka identifikuar, kapur dhe vënë në pranga autorin e grabitjes së ndodhur dy ditë më parë në një institucion financiar në qytet.
Si rezultat i hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë, u arrestua shtetasi Gjionata Kola, 27 vjeç, banues në Shkodër.
Sipas njoftimit zyrtar, më datë 24 janar 2026, në lagjen “Vojo Kushi”, 27-vjeçari ka hyrë në ambientet e një institucioni financiar dhe, duke kanosur punonjësit me një mjet të fortë (çekiç), ka vjedhur një shumë prej 143 500 lekësh.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Policia vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
