Malësi e Madhe dhe Puka në fokus të projektit europian për mbrojtjen nga zjarret dhe përmbytjet
Malësia e Madhe dhe Puka, dy nga zonat më të ekspozuara ndaj zjarreve dhe përmbytjeve në veriun e vendit, janë përfshirë në një projekt të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve të parandalimit dhe menaxhimit të emergjencave civile. Bëhet fjalë për projektin SA Resilience, të financuar nga Bashkimi Europian përmes programit Interreg IPA South Adriatic 2021–2027, që zbatohet nga Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen Civile (AKMC).
Në kuadër të këtij projekti, AKMC ka siguruar një fond prej 1.5 milionë eurosh, i cili do të përdoret për të mbështetur pesë bashki që çdo vit përballen me rrezik të lartë nga fatkeqësitë natyrore. Mes tyre, një vëmendje e veçantë i kushtohet Malësisë së Madhe dhe Pukës, zona me terren të thyer malor, pyje të gjera dhe problematika të përsëritura nga zjarret dhe përmbytjet sezonale.
Në fazën aktuale të zbatimit, janë zhvilluar takime koordinuese mes institucioneve qendrore dhe autoriteteve vendore në këto bashki, me qëllim vlerësimin e situatave emergjente, identifikimin e pikave më problematike dhe përmirësimin e mekanizmave të paralajmërimit të hershëm.
Përfaqësues të institucioneve theksuan se përmbytjet dhe zjarret mbeten fenomenet më të shpeshta, ndërsa koordinimi ndërinstitucional është një nga sfidat kryesore në përballimin e emergjencave, sidomos në zonat malore ku ndërhyrja është më e vështirë.
Projekti parashikon që gjatë vitit të ardhshëm të realizohen investime konkrete në pajisje moderne, përfshirë drone për monitorimin dhe shuarjen e zjarreve nga ajri, varka për ndërhyrje në raste përmbytjesh, veshje profesionale për ndërhyrje zjarrfikëse dhe zhytje, si dhe motorë specialë (quads) për ndërhyrje të shpejta në zona të thella malore, veçanërisht të nevojshme për Malësinë e Madhe dhe Pukën.
Paralelisht me investimet teknike, projekti ka edhe një komponent të fortë social dhe edukativ. Fushata ndërgjegjësuese janë zhvilluar në shkolla të bashkive përfituese, duke përfshirë edhe zonat e veriut, me synimin për të edukuar fëmijët mbi reagimin e duhur në raste emergjencash dhe për të ndërtuar një kulturë sigurie afatgjatë në komunitet.
Zbatimi i projektit SA Resilience pritet të rrisë ndjeshëm gatishmërinë dhe kapacitetet e Malësisë së Madhe dhe Pukës për përballimin e fatkeqësive natyrore, duke reduktuar rrezikun për jetën e qytetarëve dhe dëmet materiale. Shkodrasot!
