Vetëm pak kohë pas marrjes së detyrës si kryetar i Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, Armir Grima ka nisur një sërë takimesh me institucione të ndryshme, me synim përmirësimin e kushteve dhe organizimit të futbollit në rajonin e Shkodrës.
Së fundmi, Grima, i shoqëruar nga një përfaqësi e trajnerëve të ekipeve pjesëmarrëse në aktivitetet e Shoqatës, ka zhvilluar takime me drejtues të disa departamenteve të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Në fokus ka qenë forcimi i bashkëpunimit për organizimin e Ligave Amatore, veçanërisht në drejtim të mbështetjes shëndetësore, sigurisë së futbollistëve dhe përfshirjes së specialistëve të edukimit fizik e sportiv.
Takimet janë zhvilluar me Emiljan Pjetrin, drejtues i Departamentit të Infermierisë së Përgjithshme, Benjamin Nakun, drejtues në Departamentin e Edukimit Fizik dhe Sporteve, si dhe Julian Krajën, drejtues i Departamentit të Lëndëve Paraklinike.
Ndërkohë, një tjetër çështje që ka marrë vëmendjen e drejtuesit të ri të futbollit rajonal është edhe problematika e fushave sportive. Grima ka nisur kontaktet dhe takimet me Bashkinë Shkodër, me synimin për të adresuar mungesën dhe kushtet e infrastrukturës ku zhvillohen aktivitetet e futbollit të moshave dhe ligave amatore.
Këto takime janë pjesë e hapave të parë të Armir Grimës në drejtimin e Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, ndërsa mbetet për t’u parë se si bashkëpunimi institucional do të përkthehet në përmirësime konkrete për ekipet dhe futbollistët e rinj të rajonit.
