Një aksident rrugor është regjistruar rreth orës 20:00 në aksin Balldre Torovicë. Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i një ciklomotori ka humbur kontrollin mbi mjetin në rrethana ende të paqarta, duke u përplasur me një mur rrethues.
Si pasojë e përplasjes kanë mbetur të plagosur drejtuesi i ciklomotorit dhe pasagjerja që udhëtonte me të, e cila është shtatzënë. Të dy të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Lezhës, ku po marrin ndihmën mjekësore.
Burime paraprake bëjnë me dije se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
