Për vite me radhë ishte ajo që qëndronte mes shtyllave, duke mbrojtur portën e Vllaznisë dhe duke përjetuar nga afër emocionet, sakrificat dhe sukseset e një prej ekipeve më të mëdha të futbollit të femrave në Shqipëri.

Por tashmë, Ardiola Raxhimi nis një kapitull të ri. Pas një karriere të gjatë si portiere ku mbajti veshur fanellën kuqeblu, ajo rikthehet në skuadër në një tjetër rol, atë të zv.trajneres.

Kalimi nga fusha në pankinë nuk e ndan nga pasioni i saj për Vllazninë. Përkundrazi, tashmë ajo do t’ua përcjellë përvojën e saj vajzave të reja që synojnë të shkruajnë historinë me këtë fanellë.

Mes shumë kujtimesh nga vitet si lojtare, Raxhimi veçon një moment që tregon më së miri përkushtimin e saj. Për katër muaj me radhë ajo mbrojti portën e Vllaznisë edhe pse ishte shtatzënë, duke mos hequr dorë nga skuadra dhe nga përgjegjësia që kishte marrë.

Ishte një periudhë e vështirë, por njëkohësisht një nga kujtimet më të bukura të karrierës së saj, një dëshmi e lidhjes së fortë me klubin shkodran.

Sot, Ardiola Raxhimi nuk do të jetë më në vijën e parë të portës, por do të vazhdojë të jetë pranë saj, duke udhëhequr nga pankina një brez të ri futbollistesh të Vllaznisë.

Share.
error: Content is protected !!