Tre persona kanë përfunduar në pranga dhe një tjetër është proceduar penalisht në Shkodër, pas një operacioni antidrogë të zhvilluar nga Policia, i koduar “Sezoni”.
Operacioni është finalizuar pas një hetimi disa mujor me metoda speciale, ku sipas policisë është goditur një grup që dyshohet se merrej me shitjen, shpërndarjen dhe mbajtjen e lëndëve narkotike.
Në pranga kanë rënë:
G. B., 20 vjeç, banues në fshatin Ktosh;
D. R., 20 vjeç, banues në Koplik;
K. P., 22 vjeç, banues në fshatin Lohë e Poshtme.
Ndërkohë, procedimi penal në gjendje të lirë ka nisur për R. H., 34 vjeç.
Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, të ndarë në doza, si dhe 5 aparate celularë që dyshohet se përdoreshin në aktivitetin kriminal.
Në një rast tjetër të goditur nga Policia e Shkodrës, është arrestuar në flagrancë një 18-vjeçar, pasi u kap me armë zjarri pistoletë dhe lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Sipas policisë, hetimet për këtë veprimtari kriminale kanë vijuar gjatë muajve qershor dhe korrik 2026, ku në kuadër të të njëjtit procedim janë arrestuar edhe 4 shtetas të tjerë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
