Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për shpalljen e 7 zonave me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në bashkinë Fushë-Arrëz, në kuadër të zbatimit të ligjit “Për paketën e maleve”. Vendimi synon të nxisë investimet dhe zhvillimin e aktiviteteve ekonomike, industriale dhe turistike në zonat malore, duke krijuar mundësi të reja për ekonominë lokale dhe komunitetet që jetojnë në këto territore.
Sipas vendimit, zonat e shpallura në bashkinë Fushë-Arrëz përfshijnë një sipërfaqe totale prej rreth 19 188 hektarësh dhe shtrihen në këto njësi:
- Blerim, Trun, Qebik dhe Dardhë
- Fierzë, Kokdodë dhe Aprip-Guri
- Porav, Arst dhe Mëzi
- Fushë-Arrëz, Miçaj, Lumbardhë dhe Tuç
- Iballë dhe Berishë e Sipërme
- Mërtur
- Kryezi, Qafë-Mali dhe Lajthizë
Qeveria thekson se në këto territore do të krijohen kushte për zhvillimin e projekteve që lidhen me turizmin malor, aktivitetet ekonomike dhe industrinë, me synimin për të rritur investimet dhe për të frenuar braktisjen e zonave malore.
Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së secilës zonë do të përcaktohen në hartat zyrtare sipas sistemit të kornizës referuese gjeodezike shqiptare (KRGJSH), të cilat i bashkëlidhen vendimit.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Fushë-Arrëz. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
