Bukuria natyrore e qarkut të Shkodrës është bërë pjesë e një produksioni ndërkombëtar, duke shërbyer si vendxhirim për reklamën më të fundit të kompanisë së njohur automobilistike Honda.
Pamjet e publikuara nga reklama tregojnë peizazhet karakteristike të zonës se Malesise se Madhe e Kelmendit, duke sjellë në vëmendje potencialin e Shkodrës si një destinacion për produksione filmike dhe reklamuese të përmasave ndërkombëtare.
Kryeministri Edi Rama, duke ndarë videon e reklamës, ka theksuar se përzgjedhja e qarkut të Shkodrës nga një markë prestigjioze si Honda është një tjetër dëshmi e rritjes së interesit për këtë zonë nga industria kreative dhe audiovizive.
“Shkodra zgjidhet nga emra të mëdhenj të industrisë ndërkombëtare. Peizazhet mahnitëse të qarkut Shkodër u përzgjodhën për realizimin e reklamës më të re të Honda, një prej markave më prestigjioze të industrisë automobilistike në botë”, shkruan Rama.
Realizime të tilla pritet të kontribuojnë në promovimin e mëtejshëm të bukurive natyrore të veriut të Shqipërisë dhe në forcimin e imazhit të Shkodrës si një hapësirë e përshtatshme për filma, reklama dhe projekte kreative ndërkombëtare.
