7 mrekullitë e një proteste 30-ditore

Sot, 30 ditë në kambë.

Një besë e mbajtun, një zâ qytetar dhe një qëndresë që nuk mund të thyhet.

Mrekullia e parë është se shpresa mori kambë dhe doli në shesh. Njerëzit u bashkuan pa dallim, pa urdhën e pa flamur partie.

Mrekullia e dytë është se një kauzë që nisi për natyrën, u ba kushtrim kombëtar për dinjitet, transparencë dhe të ardhmen e vendit.

Mrekullia e tretë është se debati publik u zhvesh nga mjegulla. U pa më qartë kush e mbron interesin publik, kush hesht dhe kush përpiqet me e zvogëlue zanin qytetar.

Mrekullia e katërt është se natyra po mbrohet si shtëpi e përbashkët e të gjithë shqiptarëve. Jo si plaçkë tregu, por si amanet dhe detyrim për brezat që vijnë.

Mrekullia e pestë është se propaganda nuk ia doli me e fikë. Sa më shumë u vu në provë kjo protestë, aq më shumë tregoi forcën e saj: të qetë, qytetare dhe këmbëngulëse.

Mrekullia e gjashtë është se zani i protestës kaloi kufijtë. Kauza u ndërkombëtarizua dhe sot mund të jetë frymëzim edhe për shoqnitë ma të emancipueme. Institucionalisht, Europa po kërkon më shumë përgjegjësi, transparencë dhe respekt për të drejtën e pronës, për natyrën dhe për zonat e mbrojtura.

Mrekullia e shtatë është ndoshta ma e bukura: shqiptarët po japin shembull qytetarie.

30 ditë pa dhunë, pa djegie, pa thyerje, pa hunj e pa gaz lotsjellës. Vetëm zâ, qëndresë dhe dinjitet.

Kur e kërkon të drejtën me të drejtë, nuk je kurrë i humbur.

Respekt për ata që prej 30 ditësh janë në ballë të protestës.

Respekt për ambientalistët, organizatat e shoqërisë civile, të rinjtë model dhe çdo qytetar që ka qëndrue me dinjitet.

30 ditë qëndresë. 30 ditë dinjitet. 30 ditë qytetari.

Nga Mark Rupa

Share.
error: Content is protected !!