SPAK merr të pandehur anëtarët e grupit “Bajri”, dosja për atentatin ndaj Aleksandër Prendit shkon në gjyq
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, ka marrë të pandehur Izmir Sakicën, Samuel Troshanin dhe Franko Lekën, të akuzuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin planifikuan dhe organizuan vrasjen e Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij, duke iu shkuar befasisht në fshatin ku ata jetonin, në Rranxë të Bushatit. Hetimet janë mbyllur dhe dosja është dërguar për gjykim në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas hetimeve të SPAK, shkak i konfliktit dyshohet të jetë bërë prishja e pazareve të drogës. Samuel Troshani, Izmir Sakicaj dhe Franko Leka njihen ndryshe si anëtarë të grupit të Safet Bajrit. Report Tv ka siguruar dosjen e SPAK ku janë dokumentuar disa foto dhe video të Sakicës, Troshanit dhe personave të tjerë, duke bërë qitje me armë në zona të pabanuara.
Ky organizim kriminal u vu në zbatim më 23 gusht 2024 dhe përfundoi në një përplasje me armë zjarri, ndërsa plani i tyre mbeti në tentativë. Aleksandër Prendi, i cili i druhej një ngjarjeje kriminale ndaj tij, u bëri pritë me breshëri kallashnikovësh automjetit me të cilin po udhëtonin 3 autorët.
SPAK ka ngritur për 3 të pandehurit akuzat për “vrasje në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë, “sigurim kushtesh për të kryer vrasje” dhe “armëmbajtje pa leje”, të gjitha këto të kryera në kuadër të grupit kriminal.
Për këtë ngjarje, në kërkim vijojnë të jenë Franko Leka dhe Aleksandër Prendi, ndërsa Izmir Sakica dhe Samuel Troshani ndodhen në burg me vendim të Apelit të GJKKO-së për të njëjtën çështje. Sakica dhe Troshani, të njohur ndryshe si pjesëtarë të grupit “Bajri”, janë vetëdorëzuar në policinë e Shkodrës më 22 janar 2025 për rrahjen e një qytetari në Shkodër.
SPAK zbërthen celularët e anëtarëve të grupit
Report Tv ka siguruar dosjen e SPAK lidhur me ngjarjen e regjistruar në fshatin Rranxë të Bushatit më 23 gusht 2024, ku një përplasje me armë zjarri u regjistrua mes Aleksandër Prendit dhe anëtarëve të grupit të Safet Bajrit, Izmir Sakicaj, Samuel Troshani e Franko Leka. Këta të fundit kishin shkuar për të vrarë Prendin, por ky i fundit u bëri pritë me breshëri armësh.
Nga sekuestrimi i celularit të Izmir Sakicës janë gjetur disa foto dhe video me armë të kalibrave të ndryshëm. Në telefon janë gjetur filmime të Sakicës dhe personave të tjerë duke bërë qitje me armë zjarri në zona të pabanuara.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.



