Bllokime rrugësh në Tiranë për protestën e Partisë Demokratike, policia publikon masat

Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për protestën e thirrur nga Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila do të zhvillohet më 8 maj 2026 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së Kryeministrisë.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, tubimi është njoftuar të nisë në orën 19:00, ndërsa policia ka marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të protestës.

Në kuadër të këtyre masave, do të ketë kufizime dhe bllokime të qarkullimit në disa segmente rrugore të kryeqytetit.

Policia bën me dije se nga ora 23:45 e datës 7 maj 2026 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”.

Ndërkohë, nga ora 15:00 e datës 8 maj 2026 deri në përfundim të protestës, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në segmentin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”.

Po ashtu, kufizime do të ketë edhe në rrugët:

“Ukraina e Lirë”
“Papa Gjon Pali II”
“Ismail Qemali”

Në reagimin e saj, Policia e Tiranës u bën thirrje organizatorëve të respektojnë afatin kohor dhe vendin e miratuar për zhvillimin e tubimit, ndërsa kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimet e përkohshme në lëvizje.

Gjithashtu, policia apelon që qytetarët të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike gjatë protestës.

Share.
error: Content is protected !!