Gazetari shkodran Eraldo Harlicaj ka ndarë një histori të rrallë dhe prekëse mbi vlerën e besës, përmes një rrëfimi për Ded Shullanin, drejtues i Shoqatës së Pajtimit të Gjaqeve.
Në një reagim publik, Harlicaj thekson se në një kohë kur fjala e dhënë shpesh shihet si një vlerë në zhdukje, rasti i Shullanit dëshmon të kundërtën. I njohur për angazhimin e tij në pajtimin e konflikteve të gjakmarrjes, ai ka dhënë një shembull të fortë përmes një gjesti personal.
Sipas gazetarit, ai kishte rënë dakord me Shullanin për realizimin e një interviste dhe për të mundësuar kontaktin me një familje të ngujuar. Pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore, Shullani kishte vendosur të mbante premtimin e dhënë.
Harlicaj rrëfen se e kishte pritur në aeroportin “Nënë Tereza”, ku Shullani kishte mbërritur nga Milano, i lodhur dhe i zbehtë. Ai i kishte treguar se prej një viti po kurohej nga një tumor dhe se një natë më parë kishte qenë në spital deri në orët e para të mëngjesit.
Megjithatë, ai kishte vendosur të ndërpresë trajtimin për t’iu përgjigjur angazhimit. “Të kam dhënë fjalën, të di se vdes këtu, do e bëjmë”, citohet t’i ketë thënë Shullani gazetarit.
Ky veprim është cilësuar nga Harlicaj si një mesazh i fortë për shoqërinë, duke e vlerësuar Shullanin si një ndër figurat që vazhdojnë të mbajnë gjallë traditën e besës dhe përkushtimin ndaj fjalës së dhënë.
Statusi i plotë:
“Ded Shullani dhe fjala e dhënë, la kimiot në spital për të mbajtur besën 🤝
Besa, apo fjala e dhënë, në Shqipërinë e 2026, duket si diçka arkaike. Relike e vjetër, e dalë boje. Në garën e përditshme të babëzisë, legjenda e Kostandinit e Doruntinës ka filluar të dëgjohet rrallë e më rrallë.
Ded Shullani është kalibër tjetër. Ndoshta nga prejardhja familjare, besoj ndër të rrallët që mbeten qëndrestarë. Gjestin e tij s’do e harroj kurrë.
Kisha folur në telefon me Deden për të bërë një intervistë me të dhe për të gjetur një familje të ngujuar nga gjakmarrja në fillim të muajit mars. Më tha rri i qetë e ke të kryer!
Të dielën e pres Deden në aeroportin “Nënë Tereza” së bashku me zonjën e tij. Vinte nga Milano. I zbehtë në fytyrë dhe i lodhur në trup.
“Kam 1 vit që kurohem nga tumori. E kam kapur vonë. Fatmirësisht operimi më ka dalë mirë, por mbrëmë kam qenë në spital deri në orën 3 të mëngjesit.
“Kam hequr vigonin nga dora dhe jam nisur në pesë për në aeroport. Bëra sherr me infermieren dhe me djalin tim… Do e bëjmë intervistën”.
Kur e pyeta se pse nuk më kishte lajmëruar për ta shtyrë, më kapi nga dorën e më tha: Të kam dhënë fjalën, të di se vdes këtu, do e bëjmë!
Faleminderit Ded, për ndihmën e dhënë dhe mesazhin e fortë!
Foto: Studío Mataj”
