Një konflikt brenda familjes ka çuar në nisjen e procedimit penal ndaj një 61-vjeçari në Pukë, pasi dyshohet se ka kanosur me jetë bashkëshorten dhe djalin e tij me një sëpatë, si dhe ka dëmtuar pajisjet elektroshtëpiake dhe orenditë në banesë.
Sipas policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin T. Gj., 61 vjeç, banues në fshatin Koderbojë. Pas denoncimit të bërë nga familjarët, ai u shoqërua në Spitalin Rajonal Shkodër për t’u vizituar nga mjeku neuropsikiatër, pasi rezulton i pajisur me epikrizë për probleme të shëndetit mendor dhe gjithashtu vuan nga diabeti.
Ndërkohë, në Shkodër është arrestuar në flagrancë S. Gj., 20 vjeç, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar nga Forcat e Posaçme “Shqiponja” në automjetin e tij iu gjet një dorezë metalike (përforcues grushti), e cila u sekuestrua si provë materiale.
Po ashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për A. A., 53 vjeç, banues në fshatin Buhot, pasi sipas kallëzimit të shtetasit Xh. H., 67 vjeç, ai i ka dëmtuar gardhin rrethues të pronës me vetëgjyqësi.
Në një tjetër rast, më 15 mars 2026, një 17-vjeçar ka kallëzuar në polici se i është vjedhur automjeti në rrugën kryesore, përpara banesës së tyre, në fshatin Selcë. Automjeti ishte lënë në ruajtje nga gjyshi i tij, Gj. T., 69 vjeç. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
