Vau i Dejës / Vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Neonët 5”
Policia e Vau i Dejës ka arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Neonët 5”, i dyshuar si bashkëpunëtor në veprimtari të kundërligjshme të kultivimit të bimëve narkotike.
Në pranga është vënë shtetasi Gjergj Goli, 46 vjeç, banues në fshatin Barbullush. Ai akuzohet se ka bashkëpunuar në përshtatjen e dy ambienteve banimi për kultivimin e bimëve narkotike kanabis, duke përdorur llamba dhe pajisje të posaçme elektrike.
Nga këto dy ambiente, disa javë më parë, shërbimet e Policisë sekuestruan 583 bimë narkotike kanabis, rreth 7.5 kilogramë kanabis të përpunuar, si dhe 307 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e tyre.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vau i Dejës bënë ndalimin e 46-vjeçarit, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale:
“Kultivimi i bimëve narkotike” “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, të kryera në bashkëpunim.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim, të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme ligjore.
