Kryebashkiaku Benet Beci, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, kanë inspektuar nga afër punimet në kantierin e Bahçallëkut, duke kërkuar ritme më të shpejta dhe përshpejtim të ndërhyrjeve në aksin hyrës të qytetit. Sipas Becit, prioritet mbetet sistemimi sa më i shpejtë i rrugës nga Harku i Bërdicës deri te Ura e Bunës, me qëllim përmirësimin e qarkullimit dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.
Statusi i plotë i kryebashkiakut Benet Beci:
Sot, në kantierin e Bahçallëkut, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, ishim në terren për një inspektim të drejtpërdrejtë të punimeve, duke u takuar nga afër me ekipin e ekspertëve dhe inxhinierëve.
Mesazhi ishte i qartë: ritme më të shpejta dhe ndërhyrje të përqendruara. U kërkua përshpejtimi i punës dhe sistemimi sa më parë i rrugës hyrëse, nga Harku i Bërdicës deri tek Ura e Bunës, për të përmirësuar qarkullimin dhe për të rritur sigurinë për qytetarët.
Punimet do të vijojnë me intensitet maksimal, për ta kthyer këtë aks kyç hyrës në Shkodër në një portë dinjitoze infrastrukturore, ashtu siç i takon një qyteti që ecën përpara me vepra jo me fjalë.
