Kompetenca të reja për Policinë Bashkiake, ndryshime në të gjithë vendin
Policisë Bashkiake pritet t’i shtohen kompetencat dhe roli i saj do të forcohet ndjeshëm në fushën e rendit dhe sigurisë publike, sipas projektligjit të ri të hartuar për këtë institucion.
Ndryshimet e parashikuara do të zbatohen në të gjithë territorin e vendit dhe synojnë ta kthejnë Policinë Bashkiake në një strukturë më funksionale dhe më efikase në shërbim të qytetarëve.
Sipas projektligjit, Policia Bashkiake do të ketë rolin e një policie mbështetëse për Policinë e Shtetit, duke bashkëpunuar ngushtë në garantimin e rendit dhe sigurisë.
Gjithashtu, për shkak të angazhimit më të madh në këto fusha, është parashikuar që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Bashkiake të jetë në varësi të ministrit të Brendshëm, duke rritur kështu kontrollin dhe koordinimin institucional.
Struktura e Policisë Bashkiake do të ndërtohet, pak a shumë, sipas modelit të Policisë së Shtetit në fushën e rendit, çka pritet të sjellë një organizim më profesional dhe standarde më të larta në ushtrimin e detyrës.
