Kryetari i Bashkisë Vau-Dejës, Kristian Shkreli, ka vlerësuar profesor Ndoc Shaben, një nga figurat më të respektuara të arsimit dhe kulturës në zonë, i cili me pasion të rrallë ka ndërtuar vetë një muze, duke mbledhur dhe ruajtur pasurinë historike e kulturore të gjithë Veriut shqiptar.
Vizita e kryebashkiakut Shkreli dhe stafit të Bashkisë vjen në një moment të vështirë shëndetësor për profesor Ndoc Shaben, duke i dhënë asaj edhe më shumë domethënie njerëzore dhe institucionale.
Gjatë gjithë jetës së tij, Ndoc Shabeni ka dhënë një kontribut të çmuar në edukimin e brezave dhe në ruajtjen e vlerave historike e kulturore të krahinës. Me përkushtim dhe dashuri për trashëgiminë, ai ka arritur të krijojë një muze unik, ku ka mbledhur objekte, dokumente, vegla pune, veshje tradicionale, fotografi dhe artefakte të tjera që dëshmojnë jetën, zakonet dhe historinë e Veriut shqiptar.
Ky muze përfaqëson jo vetëm një koleksion sendesh, por një pasuri historike, që ruan kujtesën kolektive dhe identitetin e kësaj treve, veçanërisht të Vau-Dejësit, duke e kthyer këtë zonë në një pikë reference për trashëgiminë kulturore të Veriut.
Kryebashkiaku Kristian Shkreli, në vlerësimin e tij, theksoi se figura të tilla si profesor Ndoc Shabeni janë shembull frymëzimi për brezat e rinj, pasi dëshmojnë se dashuria për historinë dhe kulturën mund të ruhet e transmetohet edhe përtej institucioneve formale, falë pasionit personal dhe përkushtimit qytetar.
Në shenjë mirënjohjeje, Bashkia Vau-Dejës i dorëzoi profesor Shabenit një certifikatë vlerësimi, duke e përgëzuar për këtë trashëgimi të vyer që ai po ua lë brezave të ardhshëm.
Vizita u mbyll me një mesazh falënderimi dhe respekti për profesorin, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen e historisë, traditës dhe identitetit të Veriut shqiptar.









