Policia e Shkodrës ka nisur disa procedime penale ndaj qytetarëve që dyshohen për vepra të ndryshme, nga mashtrimi dhe përdorimi i drogës, deri te shkeljet e qarkullimit rrugor dhe ndërtimi pa leje.
Një 26-vjeçare nga Shkodra me inicialet S. F., dyshohet se ka mashtruar dy shtetas që jetojnë në Itali për një shumë parash, duke u premtuar leje qëndrimi dhe punë për vëllanë e njërit prej tyre, i cili jeton në Nigeri. 26 vjeçarja u ka marrë paratë dhe nuk ka realizuar lejen e qëndrimit për nigerianin.
Ndërkohë një 21-vjeçar, M. N., banues në Shkodër, u kap me një sasi kanabisi gjatë kontrollit fizik. Lënda narkotike u sekuestrua dhe ndaj tij nisi procedimi në gjendje të lirë.
Shkeljet e qarkullimit rrugor përfshijnë arrestimin e B. G., 58 vjeç, i cili drejtonte makinën i dehur. Po ashtu, dy persona të tjerë u referuan në Prokurori për drejtim pa leje të motoçikletave.
Një 29-vjeçar u kap me një dorezë metalike përforcuese grushti, ndërsa një tjetër banore u gjet me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në banesë.
Policia procedoi edhe një 42-vjeçare nga Velipoja pasi kreu punime ndërtimi pa leje.
Në Pukë, një 57-vjeçar dyshohet se i ka zaptuar tokën arë një shtetasi tjetër të fshatit Shkozë.
